Shprehja ‘fati i fillestarit’ duket se nuk ka dalë më kot. Një kërkues amator në Australi ka arritur të gjejë një copë ari shumë të madhe me peshë 5, 5 kg, vlera e të cilës llogaritet në rreth 350 mijë dollarë.
Duke përdorur vetëm një detektor dore për metalet, burri, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, ka arritur ta pikasë copën e madhe të arit, e cila ndodhej rreth 60 cm në thellësi të tokës, në një zonë që çuditërisht ishte stëreksploruar nga kërkuesit e arit për dekada me radhë.
Zbulimi i pazakontë i ka mahnitur edhe ekspertët e kërkimit të arit që ia kanë kushtuar jetën kësaj nisme, pasi asnjëherë më parë nuk kishin arritur të gjenin një sasi kaq të madhe ari.
Një banor vendas, që e njeh mirë historinë e zbulimeve të arit në zonë pasi prej dekadash merret me këtë gjë, thotë se asnjëherë më parë në këtë zonë nuk ishte arritur të zbulohej kjo sasi ari më parë, ndërsa sasia më e madhe e gjetur ishte 2, 8 kg, shumë kohë më parë.