Një kriminel kolumbian i arratisur nga burgu bëri një implant gjoksi dhe u vesh si grua në mënyrë që të mos e kthenin sërish në burg, por edhe kështu nuk ja doli të mashtronte shumë gjatë policinë.
Giovanni Rebolledo, i dënuar në vitin 2012 me 60 vite burg për rrëmbim personi, grabitje dhe shantazh, iu nënshtrua operacionit për t’u bërë “Rosalinda”, dhe pas shndërrimit të tij ekstrem nisi të punonte si prostitutë në distriktin Viejo Prado, në veri të Barranquilla. Por pavarësisht ndryshimit ekstrem, agjentët arritën ta njihnin gjatë një kontrolli rutinë.
Gazeta ‘El Tiempo’ bën të ditur se Rebolledo, me origjinë nga Bogota, ishte arrestuar vitin e shkuar si pjesë e bandës kriminale ‘Los Topos’, të cilët përdornin femra të bukura për të joshur meshkuj të pasur. Në momentin që ata pranonin të shkonin në shtëpinë e vajzave dhe viheshin nën kontrollin e bandës kriminale, torturoheshin me elektroshok në mënyrë që të jepnin kartat bankare, numrat e pinit dhe sende të tjera të vlefshme.